Sport

La Liga dhe Seria A rikthehen me sfida të “nxehta”

E shtuna do të vijë me një sërë takimesh interesante nga kampionate të ndryshme si ai italian, gjerman, francez, spanjoll e holandez, teksa gjithçka do të startojë në orën 13:00 me sfidën mes Mallorcës dhe Servillas.

Po nga La Liga spanjolle, në orën 16:00 do të vijë takimi mes Barcelonës dhe Alaves, me katalanët që do të provojnë të mbyllin vitin si kryesues, duke përfituar nga fakti që përballë kanë një kundërshtar modest, ndërsa në orën 18:30 do të jetë radha e takimit Villareal-Getafe.

Inter-Genoa do të jetë ndeshja më e rëndësishme e ditës së shtunë në kampionatin italian, me zikaltrit që do të kërkojnë suksesin për ta mbyllur 2019-ën si kryeses ndonëse me pikë të barabarta me Juventusin.

Zikaltrit vijnë pas një ndeshjeje të komplikuar në Firence një javë më parë, ku u shpëtoi fitorja nga duart vetëm në minutat shtesë, ndërsa Antonio Conte do të duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e shumta në radhët e të tijve.

Nga ana tjetër edhe Genoa nuk po kalon një moment të mirë, me fitoren që mungon prej rreth dy muajsh, ish mesfushori i Interit, tani trajner te kuqeblutë, Thiago Motta do të kërkojë të befasojë zikaltrit në stadiumin ku ka festuar shumë suksese, transmeton SS.

Më herët, në orën 15:00 do të luhet takimi mes Udineses dhe Cagliarit, ndërsa në mbrëmje do të luhet takimi mes Torinos dhe Spalit, ku Etrit Berisha pritet titullar për miqtë, ndërsa Samir Ujkani i vendasve do ta nisë sërish nga stoli, në pritje të mundësisë së tij.