Ky shtet pritet të miratojë kodin e ri penal që ndalon seksin jashtë martesës

Indonezia pritet të ratifikojë ndryshime të gjera në kodin penal të martën, konfirmuan zyrtarë të lartë. Kritikët thonë se ndryshimet mund të shënojnë hapa pas në liritë dhe demokracinë e fituar me vështirësi si dhe ndikojë tek morali i organeve të rendit në vendin e Azisë Juglindore.

Ndër rishikimet më të diskutueshme të kodit penal janë nenet që do të penalizonin me deri në një vit burg marrëdhëniet intime jashtë martesës, do ta bënin të jashtëligjshme bashkëjetesën mes çifteve të pamartuara, fyerjen e presidentit dhe shprehjen e pikëpamjeve që bien ndesh me ideologjinë kombëtare, të njohur si Pancasila.

Nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Sufmi Dasco Ahmad dhe kreu i komisionit parlamentar që mbikëqyr rishikimin e kodit, Bambang Wuryanto, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters të hënën se parlamenti do të mbajë një seancë plenare të martën për të ratifikuar kodin e ri.

Qeveria dhe Dhoma e Përfaqësuesve kanë rënë dakord lidhur me projektkodin, duke i hapur rrugën miratimit.

Ndërsa u deshën disa dekada për hartimin, rishikimi i kodit penal që i periudhës koloniale ka ngjallur protesta masive gjatë viteve të fundit, megjithëse reagimi ka qenë shumë më i heshtur këtë vit.

Parlamenti e kishte planifikuar ratifikimin e një projektkodi të ri në shtator të vitit 2019, por demonstratat mbarëkombëtare lidhur me kërcënimet e perceptuara ndaj lirive civile e penguan miratimin e tij.

Që nga ajo kohë, ligjvënësit në demokracinë e tretë më të madhe të botës, kanë zbutur disa nga nenet që konsiderohen më të diskutueshme.

Për shembull, nenet e rishikuara mbi seksin jashtë martesës dhe bashkëjetesa, tani shprehen se ankesa të tilla mund të raportohen vetëm nga të afërmit e ngushtë si bashkëshorti, prindi ose fëmija. Ndërsa fyerja ndaj presidentit mund të raportohet vetëm nga presidenti.

Por ekspertë ligjorë dhe grupet e shoqërisë civile thonë se ndryshimet nuk shkojnë aq larg sa duhet.

“Ky kod penal është pengesë e madhe për Indonezinë,” tha Bivitri Susanti, eksperte ligjore nga Shkolla Juridike Jentera e Indonezisë. “Shteti nuk mund të menaxhojë moralin,” tha ajo. “Detyra e qeverisë nuk është ajo e arbitrit midis Indonezisë konservatore dhe liberale”.

Nenet mbi të drejtën zakonore, blasfeminë, protestat pa njoftim dhe shprehjen e pikëpamjeve që bien ndesh me “Pancasila” ishin të gjitha ligjërisht problematike sepse ato mund të interpretoheshin në mënyra të ndryshme.

Pas ratifikimit, kodi i ri do të hyjë në fuqi pas tre vjetësh pasi qeveria dhe institucionet të hartojnë rregulloret përkatëse për zbatimin./VOA/