Ballina

Kushti për themelimin e Asociacionit, Kurti: S’çojmë në Gjykatë dokument që s’e kemi pranuar

By GAZETA SCANNER

May 08, 2024

Kryeministri Albin Kurti tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës këtë muaj është kushtëzuar me një lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë se ndërkombëtarët i kanë kërkuar që draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se ai draft-statut “dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua”.

“Si i tillë, është një jo-dokument. Pra, është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë e mbetet absurde”, tha Kurti.