Lajme

Kush qëndron pas pompave të mbyllura në veri të Kosovës?

By GAZETA SCANNER 1

July 20, 2024

Logoja e NIS-it mund të shihet në të paktën tri pika furnizuese me karburante në veri të Kosovës.

Industria e Naftës e Serbisë (NIS) rifilloi zyrtarisht punën e saj në komunat në veri, ku jeton shumica e popullsisë serbe, në dhjetor të vitit 2016, por menjëherë pas kësaj u shfaq në opinion se ato pompa janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.

Më 16 korrik 2024, Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës mbylli një pompë në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zubin Potok, pasi nuk kishin licencë për punë. Të gjitha pompat e mbyllura kishin logon NIS. Ato pompa të benzinës, kryesisht si trashëgimi e Jugopetrolit, janë nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në ditën e mbylljes së tyre, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se, NIS Petrol, “damar i Gazprom-it rus”, nuk ka vend në Kosovë.

NIS është në pronësi të shumicës së Gazpromneft të Rusisë dhe kompanisë së saj ombrellë Gazprom. Autoritetet e Kosovës e konsideruan të paligjshme rinisjen e punës së NIS Petrol në veri në vitin 2016 dhe vlerësuan se ishte një përpjekje për të zgjeruar ndikimin rus në Kosovë.

Megjithatë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës (MINT), në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se pompat janë në pronësi të tre biznesmenëve nga veriu i Kosovës: Sllavoljub Vukoviq, pronar i kompanisë MCG-GR, Ratko Pavloviq, pronar i kompanisë SEKOS, dhe Milan Bozhoviq, pronar i kompanisë Min Prom.

“Secili operator ekonomik duhet të plotësojë kriteret për aplikim në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe nëse i plotëson kriteret do t’i jepet licencë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Aty shtohet se këto pika karburanti, sipas faturave të paraqitura, derivatet e naftës i kanë blerë përmes subjekteve afariste kosovare.

Kush janë pronarët e pompave të mbyllura?

Kompanitë MCG-GR, SEKOS dhe Min Prom, janë të regjistruara në sistemin kosovar dhe atë serb, dhe aktiviteti i tyre kryesor është kryesisht tregtia me shumicë dhe pakicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta dhe të gazta dhe produkteve të ngjashme.

Mirëpo, kur bëhet fjalë për kompaninë MCG-GR, pronarët janë të ndryshëm, përkatësisht ai kosovar është Slavoljub Vukoviq dhe ai serb Zoran Galak. Të gjitha të dhënat e tjera, si aktiviteti, adresa, etj., përputhen.

Në korrik të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Milan Bozhoviqit, Dragomir Bozhoviqit dhe Zheljko Milashinoviqit, me dyshimin se derivatet i kanë blerë në Serbi dhe i kanë importuar ilegalisht në Kosovë nëpërmjet kompanisë Min Prom. Ata akuzohen se kanë marrë pjesë me vetëdije në aktivitete kriminale në periudhën 2009-2011 duke importuar derivate në Kosovë në vlerë rreth tre milionë euro përmes rrugëve ilegale dhe duke i shkaktuar dëm Doganës së Kosovës mbi një milion euro./REL