Lajme

Kush duhet të jap llogari për lëshimet në konkursin e gradimit në polici?

By GAZETA SCANNER 1

July 10, 2024

Pasi që të martën Policia e Kosovës pas rekomandimeve të Inspektoratit Policor vendosi të anuloj procesin e gradimit të policëve të lartë në rreshter, tash po kërkohet që dikush të jap përgjegjësi për lëshimet e bëra. Sipas monitoruesve të punës së Policisë, duhet të shikohet nëse veprimi i institucionit përben vepër disiplinore apo edhe penale.

Procesi i nisur në muajin maj për gradimin e policëve përfundoi duke u anuluar për shkak të gjetjeve se gjatë organizimit të tij pati shkelje.

Testimi i më shumë se 2200 kandidatëve u bë më 10 maj në pesë qendra testimi, por i gjithi shkoi huq.

Raportimi i Dukagjini dhe pastaj hetimi i Inspektoratit policor bëri që ai të kthehet në pikën zero për shkak se në testim u lejua të marr pjesë edhe një gjeneratë pa pasur të drejtë të gradohen.

Gjithsesi, tani me këto shkelje të evidentuara, po kërkohet përgjegjësi për këtë dështim.

“Natyrshëm që duhet të ketë përgjegjësi për ato nivele të cilat kanë qenë përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e konkursit. IPK nuk është organ këshillëdhënës, ai është organ ekzekutiv prandaj nuk duhet të mjaftohet me dhënien e rekomandimeve në këtë rast por duhet saktë të identifikoj përgjegjësit të cilët janë marr me këtë procedurë”, ka deklaruar Valdet Hoxha – Ish-kryeshef në IPK.

Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë që monitoron edhe Policinë e Kosovës, beson se lëshimet nuk kanë qenë të rastësisshme, prandaj duhet përgjegjësi.

“Do të duhej që si nga Inspektorati policor, si nga Prokuroria por edhe nga standardet profesionale të vlerësohet se ka përgjegjësi  disiplinore apo përgjegjësi penale nga personat e përfshirë. Po flasim për një institucion si Policia e Kosovës që ka një përvojë të gjatë në avancime prandaj një gabim i tillë nuk mund të jetë nga neglizhenca”, ka thënë Miftaraj.

Televizioni Dukagjini kishte nisur këtë seri raportimesh që nga muaji prill, pas dyshimeve se brenda gjeneratës së 54 kishte fëmijë dhe të afërm të eprorëve të lartë të Policisë, e të cilët kundërligjshëm u lejuan të marrin pjesë në procesin e gradimit.