Lajme

Kusari-Lila thotë se nuk kanë marrë njoftim nga dy deputetët për largim nga VV-ja

By GAZETA SCANNER 1

October 01, 2024

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, e ka komentuar largimin e dy deputetëve nga ky grup, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica të cilët i janë bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë. Sipas saj, ky veprim apo deklarim në kundërshti me atë që kanë përfaqësuar deri tani është vetëm në funksion të një qëllimi elektoral.

“Çdo gjë është e tepër të komentohet tani kur janë shpallur zgjedhjet e rregullta nacionale të cilat janë të caktuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm, prandaj secili veprim apo deklarim në kundërshti me atë që kanë përfaqësuar deri tani është vetëm në funksion të një qëllimi elektoral., për shkak se nuk shoh ndonjë hapësirë ose mundësi tjetër për të bërë ndryshim tjetër përveç se për t’u pozicionuar në aspektin zgjedhor ose elektoral diku tjetër. Prandaj, arsyetimet për mua nuk është se tashmë duhet t’i komentojmë ose të vazhdojmë sagën e komentimeve. Për keqardhje është që nuk kanë bërë njoftim paraprak. Do të ishte kurtuazi minimale gjatë gjithë kësaj kohe të qëndruarit bashkë dhe natyrisht shërbimit në të njëjtin grup parlamentar, të paktën të kishin deklaruar ose komunikuar grupit. Nuk ka pasur një deklarim të tillë. Sido qoftë është zgjedhje e tyre. Unë ju uroj sukses kudo që janë. Natyrisht që janë mos pajtime parimore që kanë të bëjnë në raport se si organizohet puna dhe shteti, dhe cilat janë vendimet që i merr Kuvendi përfshirë këtu edhe miratimin e ligjeve dhe miratimin e Kodit Civil”, tha Kusari-Lila.