Lajmest-slider

Kusari-Lila thotë se mosarritja e marrëveshjes LV-LDK do të sillte zhgënjim

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e Kuvendit në listën e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse rastësisht ndodh që marrëveshja LV-LDK të mos arrihet, është një gabim që askush nuk do t’ua falë të dyja subjekteve politike.

Ajo në emisionin Info Magazine në Klan Kosova,ka thënë se ekziston një shpresë për të pasur një qeverisje ndryshe dhe se kjo shpresë e qytetarëve nuk duhet të zbehet.

“Janë të njohura tashmë të dhënat nga takimi dhe arsyet e mos-vazhdimit të takimeve tjera. Ajo që vlen të theksohet është dakordimi 100 për-qind për programin qeverisës. Mendoj që në fund, nëse rastësisht ndodh që kjo marrëveshje të mos arrihet, është një gabim që askush nuk do t’ua falë të dyja subjekteve”.

“Jam optimiste njëjtë sikur të tjerët nga të dyja subjektet politike se marrëveshja do të arrihet dhe se do të tejkalohet çfarëdo ngërçi. Ekziston një vullnet që sa më parë të fillohet me qeverisje. Nëse ekziston kushtëzimi si kryefjala e një diskutimi, atëherë nuk po flasim për një mirëbesim”, ka thënë Kusari-Lila.

“Eventualisht, mosarritja e marrëveshjes do të sillte pasoja të shumëfishta dhe zhgënjim të qytetarëve. E rëndësishme është që të bëhet zgjidhje për qytetarët ashtu siç u është premtuar gjatë fushatës”.

“Nuk bënë në asnjë mënyrë që të zbehet ai optimizëm dhe shpresë për të pasur qeverisje ndryshe. Nëse arritja e marrëveshjes dështon për shkak të një posti; atëherë asgjë nuk e arsyeton partinë që vendos kushte”, ka deklaruar Kusari-Lila.