Lajme

Kurtit i shtohet edhe më shumë presioni: Pas QUINT edhe Austria i kërkon hapa për themelimin e Asociacionit për të arritur sigurt shumicën për KiE

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Përveç shteteve të QUINT-it, Kosovës po i kërkohet edhe nga shtete të tjera të Bashkimit Evropian që të marrë hapa vendimtarë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që të sigurojë përkrahjen e nevojshme në Komitet të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë kanë thënë se Austria është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Gjithashtu Vjena zyrtare thekson se e inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa vendimtar për themelimin e Asociacionit, që në mënyrë të sigurt të arrijë shumicën e nevojshme në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Austria si një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne inkurajojmë fuqimisht qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime vendimtare në themelimin e ASMM (Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe) për të arritur në mënyrë të sigurt shumicën e nevojshme në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës”, kanë thënë për Gazetën Express nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë.

Hapa për themelimin e Asociacionit në këmbim të përkrahjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës kanë kërkuar edhe Gjermania, Franca dhe Italia. Këto shtete, po kërkojnë që Qeveria e Kosovës të dërgojë për verifikim në Gjykatë Kushtetuese Draftin e BE-së, hap ky që konsiderojnë se do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës ndaj komuniteteve pakicë.

Por, kryeministri Albin Kurti po e konsideron si kushtëzim absurd dhe ka thënë se Kosova s’pranon diçka të tillë. Madje Kurti ka thënë se nuk do ta dërgojë në Kushtetuese Draftin e BE-së, meqë i njëjti s’është një dokument, por vetëm një “non-paper”, pasi që i njëjti s’është pranuar e as nënshkruar në kuadër të pakos bashkë me Marrëveshjen për Normalizim gjatë dhjetorit të vitit të kaluar.

Se anëtarësimi në Këshill të Evropës ka lidhshmëri me Asociacionin e ka thënë edhe emisari i SHBA-së për rajonin, Gabriel Escobar. Ai ka kërkuar që Kosova të dëgjojë aleatët evropianë dhe të bashkëpunojë më ta.