Lajme

Kurti vizitoi për ngushëllime familjen Emra

By GAZETA SCANNER

October 08, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë ditës së sotme vizituan familjen Emra me rastin e ndarjes nga jeta të akademikut, profesorit dhe piktorit, Tahir Emra, i njohur edhe si një prej pionierëve të artit pamor në Kosovë.

Në këtë vizitë për ngushëllime, në të cilën u mirëprit nga familjarët e të ndjerit, kryeministri Kurti lartësoi figurën e shquar të piktorit Tahir Emra, si një akademik që do të inspirojë edhe brezat e ardhshëm. Në librin e kujtimeve, kryeministri shkroi se vepra e tij do të rrojë e frymëzojë brezat pas nesh e artistë edhe jashtë nesh.

Kryeministri Kurti i shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta familjarëve të akademikut, miqve të tij si dhe komunitetit kulturor.

“Piktor akademik, profesor i dashur, artist patriot, njeri i vendit e popullit tonë, vepra e të cilit do të rrojë e frymëzojë brezat pas nesh e artistë edhe jashtë nesh. Tahir Emrën e mbajmë fort në kujtesë të gjithë. Me mall dhe pikëllim, me nderime dhe admirim.”, shkroi kryeministri Kurti në librin e kujtimeve.