Lajme

Kurti u takua me Këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans

By GAZETA SCANNER 1

January 17, 2024

Dita në Davos, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, nisi me takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans.

Kryeministri Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj shtetit tonë. Më tej, ai theksoi të arriturat e qeverisë përgjatë këtyre tre viteve të fundit.

Veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen ekonomike të vendit, si aspekte që ndërlidhen me drejtësinë dhe zhvillimin e prosperitetin. Po ashtu dhe lufta kundër ilegalitetit në veri por edhe bashkëpunimi me institucione të sigurisë të vendeve mike e partnere, ka sjellë rezultate të prekshme në parandalimin e krimit të organizuar dhe aktiviteteve ilegale.

Kryeministri e informoi Këshilltarin Federal Jans mbi procesin e Vetingut dhe mbi Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. U bisedua dhe për situatën e sigurisë në rajon, për sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë, për përpjekjet tona për integrimin e komunitetit serb dhe të drejtat e tyre politike pluraliste, demokratike dhe sociale.

Gjithashtu, potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës sonë në Zvicër dhe kontributi i tyre në shoqëri u vlerësua nga z. Jans. Nga ana tjetër, kryeministri Kurti theksoi dhe ndikimin pozitiv të diasporës për Kosovën dhe suksesin e tyre në fushat në të cilat operojnë.

Kryeministri Kurti potencoi dhe iniciativat e përbashkëta me Zvicrën si dy marrëveshjet për ndihmën e ndërsjellë juridike: për Transferimin e Personave të Dënuar dhe për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për forcim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin Federal Jans për bisedën produktive dhe idetë e shkëmbyera.