Lajme

Kurti: Telekomi i Kosovës i është kthyer qytetarëve

By GAZETA SCANNER 1

September 01, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur entuziazmin e tij për investimet e fundit në shërbimet e internetit, duke deklaruar se Telekomi i Kosovës ka arritur të rikthehet te qytetarët.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit të telekomunikacionit në vend dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

“Telekomi i Kosovës i është kthyer qytetarëve. Rrjeti po modernizohet e shërbimet janë më cilësore. Në çdo cep të vendit, publikja tash po lulëzon”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në këtë kontekst, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se investimet në rrjetin e internetit kanë sjellë përfitime të reja për qytetarët e Kosovës.

Rizvanolli theksoi se Telekomi i Kosovës, përmes operatorit të tij VALA, është duke vazhduar investimet e nevojshme për modernizimin e rrjetit në të gjithë vendin, duke përmirësuar më tej cilësinë dhe shpejtësinë e internetit për përdoruesit.

“Edhe Besiana, rajoni i Prishtinës, Mitrovica Veriore e Theranda me 5g! Telekomi i Kosovës VALA po vazhdon investimet në modernizim të rrjetit në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Rizvanolli.