Lajme

Kurti takon ish të burgosurit politikë të Kosovës që ishin mbajtur në burgjet e Serbisë

By GAZETA SCANNER 1

April 09, 2024

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka pritur në takim ish-të burgosurit politikë të Kosovës, që ishin mbajtur në burgjet e Serbisë edhe gjatë luftës në luftës.

“Duke kthyer në kujtesë periudhën e përbashkët të kaluar si të burgosur politik, në këtë bashkëbisedim u fol në veҫanti për torturat e tmerrshme dhe dhunën sistematike që ushtrohej në burgjet serbe ndaj të burgosurve politikë shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë takim u rikujtuan ngjarjet e qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, dhe kur mbi dy mijë shqiptarë u transferuan në burgjet në Serbi.

“Biseduan për këtë periudhë ndërmjet qershorit e korrikut 1999, kur konsideroheshin të zhdukur, pasi familjet e tyre nuk kishin asnjë informatë për vendndodhjen apo fatin e tyre. Ish të burgosurit politikë evokuan edhe kujtimet për shokët e burgut të cilët nuk jetojnë më dhe për ata që nuk ishin në takimin e sotëm”, theksohet në njofitmin e ekzekutivit.

Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës, u diskutua edhe për përgjegjësinë institucionale e shoqërore për ruajtjen e memories kolektive dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës 1998-99, si dhe domosdoshmërinë e angazhimit të sistemit të drejtësisë.