Lajme

Kurti takon deputetët italianë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KiE

By GAZETA SCANNER 1

April 29, 2024

ZKM ka njoftuar se kryeministri Kurti ka pritur në takim deputetët nga Grupi Parlamentar për Punë të Jashtme të Italisë, Emanuele Loperfido dhe Lia Quartapelle Procopio.

Kurti ka falënderuar ata për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës.

“Përgjatë bisedës, kryeministri theksoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona dhe i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës, duke përmendur dhe fushën e sigurisë ku Italia ka pjesëmarrje të lartë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, që tregon për përkushtimin e qëndrueshëm ndaj sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon.”

Ai ka folur edhe për integrimin e komuniteteve pakicë.

“Më tej, ai i njoftoi deputetët me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë të dëshmuar edhe nga rankimet ndërkombëtare, e po ashtu veçoi programin e qeverisë, sidomos politikat e ndërmarra për zhvillim të qëndrueshëm, shpërndarje të barabartë e barazi sociale. Duke folur për integrimin e komuniteteve pakicë, kryeministri theksoi kornizën e avancuar ligjore të Kosovës dhe të drejtat e garantuara me kushtetutën e vendit tonë, që shkojnë edhe përtej standardeve evropiane, të drejta këto të njohura e konstatuara edhe nga raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës.”

Kurti ka kërkuar mbështetjen e Italisë për anëtarësimin në KiE.

“Nga parlamentarët italianë kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Kjo mbështetje është afirmim i vlerave të Këshillit të Evropës dhe njohje e progresit demokratik të shtetit tonë.”