Lajme

Kurti takoi kongresistët Jones, Aderholt, Himes, McClain dhe Torres

By GAZETA SCANNER 1

May 19, 2022

Kryeministri Albin Kurti po vijon vizitën në SHBA të nisur më 6 maj. Sot ai zhvilloi takime me disa kongresistë.

Sipas njoftimit nga qeveria e Kosovës, Albin Kurti, në takimet e ndara me kongresistin Mondaire Jones dhe me kongresistët në Kongresin amerikan, Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa McClain dhe Ritchie Torres, bisedoi për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.

“Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e kongresistëve për Republikën e Kosovës, si dhe për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë për rajonin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Kurti raportohet se theksoi angazhimin e Qeverisë dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, duke veçuar ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.