Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave, Emilija Rexhepin, takuat sot grupe përfaqësuesish të OJQ-ve boshnjake e serbe nga Kosova, përfshirë ato që veprojnë në katër komunat në veri.
Bëhet e ditur se gjatë takimeve u fol për situatën e përgjithshme socio-ekonomike dhe politike, zhvillimet e fundit dhe temat aktuale, përfshirë atë të Urës së Ibrit.
“U bisedua edhe rreth çështjes së hapjes së Urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër. Kryeministri i dëgjoi me vëmendje këndvështrimet dhe komentet e gjithsecilit, përfshirë ato për reagimet e mundshme. Ai e theksoi vullnetin e mirë të qeverisë të shfaqur ndaj të gjitha komuniteteve jo shumicë, pa dallim, për gjatë gjithë mandatit, përmes programeve të punësimit dhe transfereve”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se me hapjen e Urës së Ibrit, përfitojnë të gjithë si në ekonomi, lëvizjen e lirë të mallrave e po ashtu edhe në aspektin shoqëror e kulturor me shkëmbime sa më të shpeshta dhe integrim sa më të qëndrueshëm.
“Në këtë frymë bashkëpunimi u pat mbajtur edhe takimi publik me qytetarët të Komunës së Mitrovicës së Veriut me 8 gusht në hapësirat e Kuvendit Komunal të po kësaj komune. Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e pranishëm për diskutimin e hapur dhe angazhimin e vazhdueshëm të tyre në komunitetin e tyre të veçantë dhe shoqërinë e shtetin tonë të përbashkët”, thuhet në njoftim.