Ka nisur mbledhja e tetë e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po mbahet në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij është shprehur i lumtur për vazhdimësinë e mbledhjeve mes dy qeverive, duke deklaruar se tashmë optimizmin duhet ta kthejmë në entuziazëm.
Kësaj radhe mbledhja po mbahet në Prishtinë. Në mbledhjen e kaluar kemi thënë se jemi popull optimist dhe se jemi një. Tani, duke kaluar nga një mbledhje tek tjetra, mendoj se duhet ta kthejmë optimizmin në entuziazëm. Entuziazmi është organizim më i mirë i mundshëm mes imagjinatës dhe racionalitetit”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se duke parë që situata në botë duke më e rënduar, të dy vendet duhet ta lexojnë këtë gjendje më mirë dhe më qartë, kur problemet i shfaqin haptas.
Kurti ka falënderuar shqiptarët e Shqipërisë edhe për pritjen e refugjatëve nga Kosova gjatë viteve të luftës.
“Kosova ditë më parë festoi përvjetorin e Ditës së Çlirimit, andaj me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që hapën dyert gjatë luftës për refugjatët nga Kosova, si dhe të nderojmë dëshmorët e rënë me prejardhje nga Shqipëria”, ka thënë Kurti.
Kryeministri kosovar ka deklaruar se me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, synohet që të lehtësohet tutje jeta e qytetarëve.