“Raport shqetësues” e ka quajtur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një raport për të Komisionit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd që udhëhiqet nga Sonja Biserko, ku një pjesë i kushtohet edhe propagandës shtetërore serbe që përmes aparaturës së saj të gjerë mediale (dhe tabloidëve) paraqesin serbët e Kosovës si të rrezikuar.
Një pjesë e këtij raporti gjithashtu i kushtohet edhe diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga shteti serb.
“Një raport shqetësues nga Komisioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd që jep hollësi se si pushteti i djathtë autoritar në Serbi shpërndan propagandë të rremë rreth rrezikimit të pretenduar të serbëve në Kosovë, dhe diskriminim shtetëror ndaj shqiptarëve etnikë në Serbi”, ka shkruar Albin Kurti në Twitter.