Ballina

Kurti refuzon konferencën e propozuar nga Rama

By GAZETA SCANNER 1

July 01, 2023

Propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për organizimin e një konference mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti deri në arritjen e një marrëveshjeje, kreu i ekzekutivit të Kosovës nuk e sheh si zgjidhje.

Gjatë një vizite në Prizren të premten, i pyetur nga mediat për propozimin e Ramës, Kurti ka thënë se krejt ajo që duhet bërë për normalizimin e situatës është zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe asaj të 18 marsit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet marrëveshja bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, ka thënë Kurti.

Rama kishte propozuar që Kurti dhe Vuçiq të takohen në një konferencën ndërkombëtare dhe të mbyllen deri sa të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Propozimi ishte përkrahur edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili pati deklaruar në samitin e liderëve të BE-së se ka ardhur koha që konferenca ndërkombëtare me praninë edhe të Shteteve të Bashkuara të zhvillohet si hapi i duhur për normalizimin e situatës në veriun e Kosovës.

Që nga 26 maji, në veri të vendit ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale të katër komunave veriore. Protestat në fillim qenë të dhunshme e më pas u qetësuan. Situata u përshkallëzua në mes të qershorit kur Serbia kidnapoi brenda territorit të Kosovës tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Pas tensioneve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ftuan për takim urgjent në Bruksel, por Vuçiqi refuzoi takim trepalësh.

Të premten, në samitin e BE-së në Bruksel është bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm e është paralajmëruar se nëse kjo s’bëhet do të ketë “pasoja negative”.