Lajme

Kurti “qyqan që s’un lë shenjë kund”, ashpërsohet Abdixhiku: 781 tenderat njëburimor maja e ajsbergut të korrupsionit

By GAZETA SCANNER 1

March 21, 2024

“Qyqan” e “të paaftë”, ishin dy atributet që Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i zgjodhi për të shpjeguar atë që, sipas tij, “është (Kryeministri Kosovës, Albin) Kurti”; gjatë një intervistë në Pressing të T7; ku më së shumti shterroi çështjen më të nxehtë në vend me 781 kontratat njëburimore të dhënë drejtpërsëdrejti nga Qeveria e Kosovës në vlerë diku rreth 209 milionë euro.

Me vëllimin marramendës të kontratave njëburimore – ku LDK ka qenë më vokalja – Abdixhiku tha se është shpaluar “veçse maja e Ajsbergun”; ndërsa poshtë saj e dha të qëndrojë një “korrupsion sistematik në në gjithë Kosovën për tri vitet e fundit”.

Andaj, sipas tij, kjo përbën “heqjen e perdes së një korrupsioni të mirëinstaluar”.

“Janë 781 tenderë sekret, në vlerë prej 209 milionë. Për shembull Korporata Energjetike e Kosovës 99 milionë euro me tenderë sekret, 13 herë një kompani e njëjtë ka marrë tenderë. Në ministrinë e Punëve të Brendshme i është dhënë një tender një kompanie nga Shqipërie 15 milionë euro, tender sekret, në kohën kur në Kosovë ka plot kompani të njëjta që kryejnë këto shërbime”, tha Abdixhiku.

“Ja kanë dhënë një kompanie me precedent kriminal. Kontratat në vlerë prej 209 milionë euro përbëjnë një ndër skandalet më të mëdha korruptive në vend. Kjo aferë është dëshmi e qartë që brenda Qeverisë së Albin Kurtit a korrupsion masiv, kjo nuk do të thotë që të tjerët para tij nuk kanë pasur, por këtu janë 209 milionë euro”.

Abdixhiku u lëshua edhe në shpjegime – që tash e disa ditë kanë nisur t’i bëjnë edhe me video në Facebook – se dhënia njëburimore e kontratave (LDK e ka quajtur edhe “tenderë për dosta”) është “komunikim drejtpërdrejt më një biznes”.

“Ai zyrtari i Ministrisë e zgjedh një biznes që ia merr mendja, këto i kemi quajtur tenderë sekret. Ajo çfarë kemi nisur në është maja e Ajsbergut të korrupsionit sistematik në gjithë Kosovën për tri vitet e fundit dhe është heqje e perdes së një korrupsioni mirë të instaluar, ky është vetëm fillimi do të bëjmë komision hetimor, do të dërgojmë lëndë në Prokurori. Ne kemi marrë një rast nga KRPP nga të dhënat kemi kuptuar për shkallën e madhe të aferave korruptive”, vazhdoi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së e quajti Kurtin “qyqan…që veç ankohet” ndonëse ka pushtetin më të madh që ka pasur ndokush në Kosovën e pasluftës; përkatësisht me 51%.

“Është qyqar, është i paaftë në vendime. Një njeri që i ka 51 %, i ka 12 miliardë euro dhe nuk është në gjendje ta bëjë një shenjë të vetme dhe prapë ankohet e bënë viktimën, është rast për marre për besë”, ka thënbë Abdixhiku.

“Kam marrë të dhëna nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe do t’i prezantoj sonte. Kjo është rritja ekonomike në 10 vitet e fundit. Mesatarja e rritjes ekonomike është 4.7% prej vitit 2013 deri në vitin 2019. Në tri vitet e fundit mesatarja është 3.6%. Këto të dhëna janë të Qeverisë së Kosovës, do të thotë mesatarja është më e ulët se e viteve 2013 deri 2019. Me këtë trend 3.6% Kosovës i duhen 40 vite për me mbërri Kroacinë, siç na qeverisë Albin Kurti na duhen 40 vite për ta mbërritur Kroacinë. Mesatarja e Qeverisë Kurti është më e ulët se e 7 viteve paraprake. Na duhen 80 vite për me mbërri mesataren e BE-së”.

Në lidhje me “ofertën” e Kurtit, se vetë ai ua jep votat opozitës për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku tha se nuk i futet mocionit të mosbesimit; por Kurti le të jep dorëheqje.

“Kurti është dorëzuar dhe duhet të jap dorëheqje”. “Nëse është dorëzuar dhe duket se është dorëzuar, le të jep dorëheqje. Por nëse është dorëzuar, le të jep dorëheqje pse ta komplikojë”, tha ai.

“LDK nuk bënë mocion për shpërbërje të Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje dhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, shtoi ai.