Lajme

Kurti publikon shifra, për dy vjet e gjysmë thotë se pati rritje ekonomike, buxhetit e eksportit

By GAZETA SCANNER 1

September 23, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë dy vjet e gjysmë qeverisje, rritja ekonomike mesatare ka qenë 7.9%, që sipas tij ka qenë më e larta së çdo herë për dy vite rresht që nga viti 2008.

Ai ka thënë se për gjatë kësaj kohe është rritur edhe vlera e eksporteve, ndërsa në vitin 2023 pritet të ketë rritje deri në 1 miliard euro.

“Vitin e parë të qeverisjes rritja ekonomike ishte 10.7%, më e larta në historinë e vendit. Në vitin e dytë rritja ekonomike ishte 5.2% (2022). Rritja mesatare në dy vite ka qenë 7.9%, më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë. Trendi i rritjes ekonomike ka vazhduar edhe këtë vit. Vlera e eksporteve në vitin 2022 është rritur për 447 milionë euro ose dyfishuar në krahasim me vitin 2020. Për periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e eksporteve ka qenë 468 milionë euro, që është përafërsisht aq sa ka qenë totali i vlerës së eksporteve në vitin 2020 (474 milionë euro). Deri në fund të 2023 pritet që vlera eksporteve për herë të parë të arrijë shifrën 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import është ngushtuar nga gati 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht. Ndërkohë që, për herë të parë, në tremujorin e dytë të këtij viti ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej mbi 400 mijë vendeve aktive të punës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri ka thënë se ka pasur rritje edhe të buxhetit të vendit, duke shtuar mbi 770 milionë euro të hyra.

“Gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetit të shtetit ia kemi shtuar mbi 770 milionë euro të hyra, kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro vlerë. Të hyrat tatimore janë rritur për rreth 2/3, ndërkohë që Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar. Trendi i rritjes së Investimeve të Huaja Direkte ka vazhduar edhe sivjet. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, për periudhën janar-maj 2023 kemi 20.7% më shumë investime se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka shkruar ai.

Krejt këto kryeministri tha se i kanë ndarë me qytetarët duke shpërndarë 842 milionë euro përmes masave të ndryshme.

“Rritjen e ndamë me qytetarët duke rishpërndarë në total 842 milionë euro përmes masave të ndryshme mbështetëse për qytetarë dhe stimuluese për biznese, dhe pa krijuar borxhe të reja. Deficitin buxhetor në vitin 2022 e kemi ulur në nivel historik duke e zvogëluar atë për mbi -90% në krahasim me vitin 2020. Kurse inflacioni në muajin korrik ishte më i ulëti në gjithë Gadishullin Ballkanik, me vetëm 2.4%”, ka shkruar Kurti.