Lajme

Kurti priti në takim studentë të Fakultetit të Administratës Publike nga Kolegji AAB

By GAZETA SCANNER 1

May 21, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra mirëpriti një grupi studentësh të Fakultetit të Administratës Publike nga Kolegji AAB.

Në këtë vizitë studimore studentët patën rastin të mësojnë më shumë rreth proceseve qeverisëse. Gjatë bashkëbisedimit, u theksua roli dhe rëndësia e digjitalizimit në arsim dhe në administratë, si në rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarë ashtu edhe në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.

Përveç objektivave për cilësi në arsim të theksuara nga kryeministri Kurti, mbështetja e Qeverisë së Kosovës për studentët u dëshmua edhe në kuadër të pakove në përballje me inflacionin, ku në dy raste të ndara të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Republikën e Kosovës përfituan nga mbështetja e njëhershme financiare.

Studentët u shprehën mirënjohës për takimin, për të cilin thanë do të nxisë interesimin dhe motivin e tyre për t’u angazhuar dhe kontribuar profesionalisht në sektorin publik dhe administratën publike, si një prej shtyllave kryesore të shtetit dhe shërbimeve për qytetarë.