Kryeministri Albin Kurti me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës ka pritur në Ballkonin e Hapur të Qeverisë qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.
Kurti ka thënë se Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta.
Ai ka shkruar tutje në Facebook se Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci.
Postimi i tij:
Në Ballkonin e Hapur, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, mysafirë patëm qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.
Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane.
Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre.
Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj!