Kulturë

Kurti pret në takim Ismail Kadaren, tregon se si ka lexuar të gjitha veprat e tij

By GAZETA SCANNER 1

June 06, 2023

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare.

Përmes një komunikate të lëshuar për media, bëhet e ditur se gjatë takimit kanë bashkëbiseduar për letërsi, histori e kulturën shqiptare.

Njëherit, Kurti ka treguar se ka lexuar të gjitha veprat e Kadaresë.

Tutje thuhet se kryeministri Kurti gjatë bashkëbisedimit i kujtoi Kadaresë se si librat e tij kanë qenë kriter për t’u lexuar nga nxënësit, duke përmendur kështu veprat e famshme “Princesha Argjiro”,  “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai shprehu se pikërisht këto vëllime kanë qenë motivi i cili ka nxitur leximin e gjitha veprave të Kadaresë.

“Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas kryeministrit është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë. Rrjedhimisht, ai ritheksoi se brezave të rinj duhet të ua mësojmë më shumë historinë nëpërmjet letërsisë së Kadaresë, pasi që ajo është e pazëvendësueshme dhe thelbësore. Në anën tjetër, shkrimtari Ismail Kadare vlerësoi fjalët e kryeministrit, duke potencuar se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale. Ndërkaq, Shqipërinë ai e renditi ndër vendet e para në zonën e Evropës që ka botuar letërsi, siç janë librat historik e kombëtar në gjuhën shqipe”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vet popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ndërkaq bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare ishte bashkëshortja e tij, Helena Kadare.

Sot gjatë ditës u bë hapja e edicionit të 23-të të Panairit të Librit , organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku mori pjesë edhe kryeministri Kurti.​