Lajme

Kurti: Për paqe në Ballkan, Serbia duhet t’i pranojë përgjegjësitë

By GAZETA SCANNER 1

May 23, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të pranojë përgjegjësitë dhe se autorët që kanë kryer krime të dalin para drejtësisë.

Ai këtë e ka thënë pas miratimit të rezolutës së 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Kurti në X ka thënë se përgëzojnë këtë vendim.

“Ne përgëzojmë miratimin nga OKB-ja të 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, duke shënuar masakrën më brutale të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Për paqen në Ballkan, përgjegjësia e Serbisë duhet pranuar dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të sjellë autorët para drejtësisë”, ka shkruar Kurti. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën, që do ta shpallte 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta u miratua me 84 vota për, abstenime ishin 19, ndërsa 68 shtete votuan kundër.

Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.