Ballina

Kurti: Për dallim prej para 8 e 10 viteve, tani Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën

By GAZETA SCANNER 1

March 22, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe një herë ka thënë se marrëveshja e dakorduar me Serbinë është njohje de-facto për Kosovën.

Ai, duke folur për transmetuesin publik, ka thënë se për dallim nga vite më parë, Serbia tani po heziton të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën.

“Ky është një plan që sjell njohjen de-facto dhe nuk bllokon rrugën për të ecur përpara. Meqë pati pajtim unë insistova që të nënshkruhet, por për dallim prej para 8 vjetëve dhe 10  vjetëve, Serbia refuzoi ta nënshkruajë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se kjo është një marrëveshje të cilën Serbia nuk ka interes ta zbatojë.

Sipas tij, ajo tashmë ka dhënë indikacionet e para për këtë gjë.

“Pala serbe refuzoi ta nënshkruajë, sepse, siç e zbuloi ajo vet, heziton që ta zbatojë. Tashmë kanë dhënë indikacione të qarta se po bëjnë shkelje të marrëveshjes”, ka thënë tutje Kurti.

Për konstruktivitetin e tij në negociata me Serbinë, Kurti ka thënë se qasja e tij mund të mos jetë kuptuar në të kaluarën.

Ai ka thënë se gjithmonë ka qenë konstruktiv.

“Unë kam qenë gjithmonë konstruktiv, mund të mos jetë vërejtur me kohë kjo. Unë i lexoj mirë tekstet dhe kur shoh që ka koncepte universale, dhe ka vetëvendosje, barazi, konstruktivitet etj., atëherë kuptohet që jam konstruktiv”, ka thënë tutje kryeministri.

Kurti ka rrëfyer edhe për gatishmërinë e tij që të propozojë përmbajtje për marrëveshjen e arritur.

Ai ka thënë se Serbisë i pengonte qasja e tij aktive dhe kreative.

“Vazhdimisht kam qenë aktiv, mirëpo sa më aktiv dhe kreativ që shfaqesha, aq më shumë ngjallej rezistenca e palës tjetër, e cila nuk e nënshkroi, sepse edhe ata e dinin sikur unë se kjo është njohje de-facto”, ka thënë Kurti.