Ballina

Kurti pas takimit me Lajçakun: Mbetemi të përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke

By GAZETA SCANNER 1

January 30, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Në këtë takim u diskutua në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera, si respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në njoftim, theksohet se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke, përmes një procesi të dialogut të barabartë, të balancuar e të drejtë për palët.

Pas takimit të përbashkët, pati edhe një takim ndërmjet zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi dhe emisarit Lajçak.

Në një konferencë për media pas takimit në Prishtinë, Lajçak tha se u diskutua edhe për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Sulmi në Banjskë, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, u diskutua edhe gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë në Beograd, theksoi ai.

“Sulmi në Banjskë diskutohet çdo herë në çdo takim qëkur ka ndodhur”, tha Lajçak.

Ai tha se BE-ja pret që të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.

“Publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presin që të përfshirët të mbahen përgjegjës. Sa i përket hetimit, nuk jam unë personi i duhur për të folur se nuk ka hetim që udhëhiqhet nga BE-ja, por janë vendet individuale që kanë hetuar apo po e hetojnë. Ne po marrim të dhënat nga shtetet anëtare dhe partnerët evropianë”.