Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij nuk do që Marrëveshjen Bazike me Serbinë ta shndërrojë në mjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai nga Strasburgu ka theksuar se çështja e Asociacionit është brenda kësaj marrëveshjeje, dhe jo e kundërta.
Ai është shprehur se serbët e Kosovës kanë shumë të drejta si pakicë që përbën 4% të popullsisë, ndërsa ka shtruar pyetjen se si mund të kërkohen më shumë të drejta, kur serbët po i bojkotojnë ato që i kanë tani.
“I kemi dhjetë ulëse të rezervuara për serbët në Kuvend, gjuha serbe është gjuhë zyrtare, prej 38 komunave dhjetë janë me shumicë serbe. Politikat qeveritare tona, me ekonomi, në aspektin social, kemi bërë përpjekje dhe suksese që të integrojmë serbët. Kemi një ministër serb. Duhet si shoqëri, qeveri, si shtet, vazhdimisht të përmendim sa shumë gëzojnë pakicat serbe në Kosovë e cila është 4%. Nuk do duhej të flasim thjesht për Asociacionin pa folur për marrëveshjen bazike, dhe nuk do duhej të flasim për Asociacionin pa përmendur që dhjetë ulëse në Kuvendin e Republikës po bojkotohen. Si mund të kërkohen më shumë të drejta kur bojkotohen ato aktuale”, ka thënë Kurti për Kanal10.
Kurti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë muajit maj, duke thënë se asnjëherë më parë nuk ka pasur rast që Komiteti i Ministrave ta shpërfillë mbështetjen e Asamblesë Parlamentare për një vend dhe të votojë kundër. Sipas Kurtit, Kosova të martën pati mbështetje masive dhe të thellë, pasi pati debate që u fituan me argument.
“Jemi optimistë për anëtarësimin në muajin maj dhe njëkohësisht do të angazhohemi që kjo të ndodhë për shkak se në njërën anën tjetër kemi shansin e jashtëzakonshëm, e në anën tjetër nuk ka rast tjetër në historikun e Këshillit të Evropës që Këshilli i Ministrave shpërfillë një këso mbështetje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, aty ku është demokracia e Këshillit të Evropës, u panë edhe diskutimet që u bënë aty, mbështetja për Republikën e Kosovës, për anëtarësimin e vendit tonë nuk ishte thjeshtë vetëm masive, por ishte edhe e thellë meqenëse edhe debati me argumente u fitua, e jo vetëm me një ngadhënjim me fuqinë e numrave në sallë”, ka thënë ai.