Lajme

Kurti ngushëllon familjen Pacolli dhe Visoka: Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin

By GAZETA SCANNER 1

June 18, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas tragjedisë ku tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën pasi vetura e tyre ka rënë të shtunën në lumin Lepenc në Maqedoninë Veriore.

Kurti ka thënë se ngjarje si kjo prekin secilin prej nesh, ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjes Pacolli.

“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë. Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre. Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka falënderuar ekipet e shëptimit nga Kosova dhe Maqedonia Veriore

“Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar Kurti.