Lajme

Kurti në promovimin e librit të autorit Afrim Hysenaj: Vepra që na ka mbledhur sot është kujtim për të vrarët e përkujtim për të gjallët

By GAZETA SCANNER

July 13, 2024

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit monografi për masakrën e Paklekut, “Shtëpia me gjak në mure”, të autorit Afrim Hysenaj, që u organizua në shtëpinë muze të kësaj masakre në Drenas.

 

Duke kujtuar 17 prillin e vitit 1999, kryeministri Kurti tha ajo pasdite pranvere u përgjak nga forcat e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë, të cilët vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç te foshnja 6 muajsh Liria e deri te gratë shtatzëna.

“Nga rrjedha e gjakut të atij krimi buron edhe titulli i këtij libri që na ka rikthyer këtu në shtëpinë me gjak në mure”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar po ashtu se ky libër ka përmbledhur përjetimet e të mbijetuarve, dëshmitarëve dhe kujtimet për familjarët, derisa potencoi se kujtimet për të vrarët ruhen edhe brenda kësaj shtëpie muze të familjes Muqolli, të muzealizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti gjithashtu përmendi projektin serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”, dhe përpjekjet e shtetit serb që të zhukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve.

 

“Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Është edhe thirrje për drejtësi. Edhe ky libër përshkohet nga kërkesa e familjarëve për drejtësi”, u shpreh kryeministri.

 

Nga Pakleku i Drenasit, aty ku edhe sot e kësaj dite muret janë të mbuluara me gjakun e të vrarëve, kryeministri Kurti bëri thirrje që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës, pra të nis procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës edhe kur ata janë në mungesë.

 

Kryeministri tha se vepra që na ka mbledhur sot është kujtim për të vrarët e përkujtim për të gjallët mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë.

 

“Krimet e luftës nuk parashkruhen sikurse që nuk harrohen vuajtjet, dhimbjet e humbjet e familjeve Muqolli nga Pakleku, Caraku nga Dritani (ish-Dobroshevci), Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe Hoxha nga Korrotica e Epërme”, përfundoi fjalën e tij, kryeministri Kurti.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

E nderuara znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës,

I nderuari ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Ceku,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

I nderuari kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci,

E nderuara znj. Elhame Muqolli,

E nderuara znj. Teuta Elshani,

I nderuar z. Fadil Muqolli,

Të dashur familjarë të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha,

Të nderuar të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës së 17 prillit,

I nderuari autor i monografisë z. Afrim Hysenaj,

I nderuari redaktor z. Berat Dakaj,

Të nderuar z. Shaqir Cërvadiku dhe z. Mahmut Ferati,

Të nderuar ish- të burgosur politikë, bashkëvuajtës me mua, Nait Hasani, Bislim Zogaj, Enver Dugolli dhe ju të tjerë,

Zonja dhe zotërinj,

Të dashura motra dhe vëllezër,

 

Ishte ditë e shtunë sikurse sot 17 prilli i vitit 1999. Ajo pasdite pranvere u përgjak nga forcat e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë. I vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç te foshnja 6 muajsh Liria e deri te gratë shtatzëna. Nga rrjedha e gjakut të atij krimi buron edhe titulli i këtij libri që na ka rikthyer këtu, në shtëpinë me gjak në mure.

 

Ky libër ka përmbledhur përjetimet e të mbijetuarve, dëshmitarëve dhe kujtimet për familjarët. Kujtimet për të vrarët ruhen edhe brenda kësaj shtëpie muze të familjes Muqolli, të muzealizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Këtu në Paklekun e moçëm, siç e quani ju vendasit, plagët janë të njoma. Shteti serb që po zbatonte projektin serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, të quajtur “Patkoi”, u përpoq të zhukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve.

 

Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët, është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Është edhe thirrje për drejtësi. Edhe ky libër përshkohet nga kërkesa e familjarëve për drejtësi.

 

Andaj, bëjmë thirrje edhe sot që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës. Në maj janë bërë pesë vjet prej se në Kuvendin e Republikës i kemi mundësuar sistemit të drejtësisë të nis procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës edhe kur ata janë në mungesë. Pra, për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve tanë.

 

Vepra që na ka mbledhur sot është kujtim për të vrarët e përkujtim për të gjallët mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë.

 

Krimet e luftës nuk parashkruhen sikurse që nuk harrohen vuajtjet, dhimbjet e humbjet e familjeve Muqolli nga Pakleku, Caraku nga Dritani (ish-Dobroshevci), Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe Hoxha nga Korrotica e Epërme.

 

E përjetshme është kujtesa e sakrificës së madhe të popullit për liri.

 

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Paklek të Drenicës!