Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, u organizua tryezë dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, Komisionin Qeveritar per Persona te Zhdukur, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Në fjalën e tij të rastit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti potencoi se çdo ditë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës dhe zbulimit të së vërtetës për 1595 personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Në shënim të kësaj dite të rëndësishme, kryeministri Kurti deklaroi se për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është funksionalizuar dhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, e gjithashtu është miratuar Strategjia e parë në Republikën e Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.
Me këtë rast ai përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ICMP. Tutje shtoi se për adresim të krimeve të kryera gjatë luftës, vrasjeve dhe zhdukjeve me dhunë, është zhvilluar baza ligjore dhe janë rritur kapacitetet e institucioneve.
Më pas kryeministri Kurti tregoi se këtë javë, pas shumë përpjekjeve e angazhimeve nga komisioni qeveritar, kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin në Kozhle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi.
“Ne vazhdojmë të mbështesim Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha institucionet e mekanizmat e angazhuar në këtë proces”, tha ai.
Në përkujtim të të gjithë atyre që ende na mungojnë në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministri nderoi të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë, teksa shtoi se Republika e Kosovës nuk do të ndalet derisa të zbardhet, derisa të dihet fati i tyre dhe vendndodhja e tyre.
“Duke nderuar sakrificën që na mundësoi të gëzojmë lirinë dhe shtetin, ne po ecim përpara në rrugën e drejtësisë dhe barazisë” ishin fjalët e kryeministrit Kurti në përfundim të këtij organizimi.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara znj.Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
E nderuara znj.Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari z.Andin Hoti, Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,
I nderuari z.Ahmet Graiçevci nga Asociacioni i Familjarëve të Personave të Zhdukur,
I nderuari z.Agim Gashi, Shef i Misionit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar,
I nderuari z.Luigj Ndou, Përfaqësues i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur
Të nderuar përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Suedisë,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë,
Përfaqësues të institucioneve, misioneve diplomatike të tjera dhe organizatave ndërkombëtare,
Të nderuar të pranishëm,
Sivjet janë bërë 25 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, me epilog çlirimin e vendit dhe popullit tonë nga Serbia pushtuese.
Gjatë viteve 1998-1999, forcat policore dhe ushtarake të Serbisë, të urdhëruara nga shteti i Serbisë, kryen qindra masakra dhe mijëra zhdukje me dhunë mbi shqiptarët e Kosovës, në kuadër të projektit gjenocidal për shfarosjen e popullit tonë.
‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të Millosheviqit në Beograd.
Këtë javë, pas shumë përpjekjeve e angazhimeve nga komisioni ynë qeveritar, kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin në Kozhle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi e shpresojmë që kjo nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për ta evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi.
Deri më tani, shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Andaj, ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë për hapjen e arkivave në Serbi.
Në bazë të marrëveshjes së arritur me 2 maj të vitit 2023 në Bruksel, tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës.
Sot, sikurse çdo ditë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës dhe të vërtetën për 1595 personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Me angazhimin institucional, ne po vazhdojmë punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.
Për adresim të krimeve të kryera gjatë luftës, vrasjeve dhe zhdukjeve me dhunë, kemi zhvilluar bazën ligjore dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve.
Në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e hetimit të Krimeve të Luftës, me 41 hetues.
Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacion, institucionet tona të drejtësisë, mund të ndjekin dhe dënojnë kryerësit e krimeve të luftës, në mungesë. Kemi nevojë për drejtësi, që ekzekutorët e urdhërdhënësit të vendosen prapa grilave. Për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar. Kriminelët serbë të luftës duhet të përballen me drejtësi, sepse këto krime sikurse që nuk vjetrohen, as nuk falen. Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe kemi miratuar Strategjinë e parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.
Republika e Kosovës, tashmë është anëtarësuar në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ICMP. Kapacitetet tona institucionale e profesionale gjithnjë, kudo janë në shërbim të paqes dhe ballafaqimit me të kaluarën.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar në trajtimin e çdo informate që kontribuon në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Sipas të dhënave të Komisionit tonë qeveritar janë rreth 13 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues.
Ne vazhdojmë të mbështesim Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha institucionet e mekanizmat e angazhuar në këtë proces.
Vazhdojmë mbështetjen edhe të shoqatave të familjeve të të zhdukurve. Kemi hapur thirrjen për mbështetje të projekteve të shoqatave me vlerë deri në 60 mijë euro. Kjo përkrahje është dedikuar për organizatat joqeveritare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.
Me qëllim të rritjes së mirëqenies familjare, pas thirrjes së parë në mars, kemi rihapur thirrjen për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzat që janë familjare të personave që ende rezultojnë të zhdukur me dhunë, e që janë në listën e pensioneve për personat e zhdukur gjatë luftës.
Sistemi ynë vleror i rendit tonë, familjarët e personave të zhdukur, i mban lart në regjistrin e lirisë. Familjet e të zhdukurve i kemi lartë edhe mes prioriteteve e në përkujdesjen e Qeverisë.
Të nderuar të pranishëm,
Duke nderuar sakrificën që na mundësoi të gëzojmë lirinë dhe shtetin, ne po ecim përpara në rrugën e drejtësisë dhe barazisë. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur nderojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Republika e Kosovës nuk do të ndalet derisa të zbardhet, derisa të dihet fati i tyre dhe vendndodhja e tyre.
Përmes ndriçimit të së vërtetës dhe mbajtjes përgjegjës të autorëve të krimeve, mund të arrihet paqja e qëndrueshme në rajon.