Lajme

Kurti në Lybeniq: Jemi shtet që nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia

By GAZETA SCANNER 1

April 01, 2024

Në 25-vjetorin e masakrës së Lybeniqit të Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët në këtë masakër të kryer nga pjesëtarët serbë të njësitit “Çakejt” bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale të Serbisë.

 

E dokumentuar qysh më 1999 nga Human Rights Watch, Kryeministri Kurti, u shpreh se masakra e Lybeniqit ka dëshmi dhe dëshmitarë, pjesë e të cilëve janë vet të mbijetuarit e masakrës, banorët e Lybeniqit dhe të fshatrave përreth, që kanë parë e përjetuar skenarin e krimit të ushtarëve serbë të cilët ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, dhe i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty. 

 

“Xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë. Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”, shtoi kryeministri Kurti.

 

“Lybeniqi i Pejës ishte shënjestruar nga regjimi kriminal i Beogradit dhe ishte përfshirë në gjeografinë e krimeve të luftës shumë herët, që më 25 maj të vitit 1998, kur policë të Serbisë i vranë nëntë burra”, tha kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij. Ai përkujtoi edhe 7 prillin e vitit 1999 kur në bjeshkët e Lybeniqit ushtarë serbë vranë dhjetë anëtarë nga familjet Alimehaj, Ukshinaj dhe Bobi. Në mesin e tyre ishin dy fëmijë, dy dhe pesë vjeç, dhe një grua shtatzënë.

 

Kryeministri Kurti theksoi avancimin e kornizës ligjore për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës për të mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Po ashtu përmendi ndarjen e mjeteve për fuqizimin e Prokurorisë Speciale dhe ngritjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues në kuadër të Policisë së Kosovës. Ndërkaq, për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, për të cilin tashmë janë hapur 25 pozita të ekspertëve dhe zyrtarëve.

 

Më tej, duke ritheksuar se jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, kryeministri Kurti u zotua që në këtë rrugë do të shkojmë deri në fund sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi shqiptarët e Kosovës.

 

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë”, përfundoi ai.