“Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë. Vazhdon të zbatojë me sukses misionin kushtetues që të mbrojë jetën dhe pronën e qytetarëve, të mbajë rendin dhe qetësinë publike, të parandalojë dhe zbulojë krimin, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, e të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, religjioni, gjinie a moshe”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të Gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës.
Para të pranishmeve të shumtë, përfaqësues të institucioneve e familjarë të policëve të sapodiplomuar, kryeministri tha se është i lumtur që ndodhet në këtë ngjarje të rëndësishme për Policinë e Kosovës, në të cilën diplomuan 418 kadetëve, në përbërje gati të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë.
Ai tha se që nga marrja e mandatit të Qeverisë, janë zotuar për luftë të pakompromis ndaj korrupsionit, veçanërisht atij që është mirëmbajtur me vite në institucionet tona, për luftim ndaj çdo lloj krimi të organizuar, që mbi të gjitha ka rënduar mirëqenien e qytetarëve tanë. “Për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë. Policia jonë, për këto dy vite, ka qenë maksimalisht e angazhuar në realizimin e këtyre prioriteteve të përbashkëta”, u shpreh kryeministri Kurti.
“Intensiteti i njëjtë i punës së zyrtarëve tanë policorë ka vijuar edhe në veriun e vendit tonë, që në të kaluarën ka qenë zonë e rehatisë për bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi. Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar policor edhe në atë zonë, ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë policorë, nga të cilat 25 zyrtarë janë lënduar lehtë, një është plagosur, ndërsa një ndodhet aktualisht në tretman mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e arrestimit të kriminelit famëkeq “Llune”, u shpreh ai.
Të gjitha këto rezultate e sakrifica në garantim të sundimit të rendit dhe të ligjit, siç tha kryeministri, janë dëshmi se detyra e policit kërkon përkushtim në detyrë, konsistencë në veprim dhe bindje të pakompromis në respektim të ligjshmërisë.
Duke iu drejtuar kadetëve policorë, kryeministri Kurti tha se nga sot filloni një epokë të rëndësishme për veten tuaj e për vendin tonë. “Ju pret një rrugë e gjatë, me sfida dhe sakrifica para vetes, por asnjëra prej tyre nuk duhet të zbehë vullnetin dhe misionin tuaj për të shërbyer. Policia jonë, së cilës ju keni bashkuar, është vijimësi e Ushtrisë sonë Çlirimtare. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë në përpjekjet për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona të përbashkëta për ta ngritur dhe për ta forcuar Republikën tonë”, ishin fjalët e kryeministri Kurti.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe presidentja Vjosa Osmani Sadriu, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Rexhepi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë dhe personalitete të tjera