Lajme

Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, ZKM-ja jep detaje

By GAZETA SCANNER 1

April 29, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në orët e mbrëmjes, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, duke theksuar se hapja e saj është vetëm shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës, në këtë kohë të vështirë.

Për këtë nëpërmjet një komunikate ka njoftuar zyra e kryeministrit, të hënën.

“Duke vënë në dukje solidaritetin që populli ynë ka treguar ndaj popullit ukrainas, kryeministri tha se së pari është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik, çdo shteti që respekton dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që të solidarizohet me Ukrainën kundër pushtimit ilegal të Rusisë, si dhe ta ndihmojë atë me çdo mjet që e kemi në dispozicion. Ai tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulm i autokracisë ndaj demokracisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Më pas tregohet se Kosova solidarizohet me Ukrainën, që gjendet në luftë mbrojtëse pasi nisi pushtimi rus shkurtin e vitit 2022.

“Së dyti, Kosova solidarizohet me Ukrainën, sepse krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme, janë kryer edhe në Kosovën e viteve ‘90-ta. Dhe kjo është diçka që e veçon popullin e Kosovës prej shteteve të tjera demokratike. Kujtimet tona prej asaj dekade të tmerrshme janë ende të freskëta. Plagët janë ende të hapura”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se gati çdo qytetar i Kosovës ose vetë është viktimë e dëbimit masiv të shqiptarëve në vitin 1999, ose ka të paktën një anëtar të familjes që ka qenë viktimë e dëbimit apo masakrave të kryera nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

“Duke kujtuar krimet e kryera dhe mungesën edhe të 1,597 personave të zhdukur me forcë, familjet e të cilëve, 25 vjet më vonë, po presin që të marrin vesh fatin e të dashurve të tyre, kryeministri tha se Kosova si shtet demokratik, por edhe si një popull që ka një përvojë të ngjashme me atë të Ukrainës, ka një arsye të dyfishtë për t’u solidarizuar me popullin ukrainas”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.