Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyren e tij nobelistin, Dr. Denis Mukwege.
Duke e falënderuar për vizitën e tij në Kosovë, kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e nobelistit për të mbijetuarit tanë të dhunës seksuale të kohës së luftës.
Kryeministri shtoi se qeveria po punon ngushtë me institucionet dhe akterë të shoqërisë civile rreth proceseve të drejtësisë tranzicionale, në veçanti me organizatat e grave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Ai theksoi se tashmë është themeluar dhe Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës dhe është miratuar Strategjia e parë Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale. Gjithashtu Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që nga viti 2018 pranon aplikime nga të mbijetuarit me trajtimin e sigurtë të garantuar të informacionit ku deri më tani kanë mbërritur mbi 2000 aplikime. Kryeministri veçoi gjithashtu që kemi rritur kapacitetin për të trajtuar krimet e luftës duke rritur numrin e hetuesve policorë.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Dr. Mukwege në aktivitetin e përbashkët me ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, për vendosjen e instalacionit “Thinking of You”, të artistes Alketa Xhafa, në muajin qershor, në Hagë.
Dr. Mukwege përgëzoi Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj për bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe punën që po bëhet në drejtësinë tranzicionale.
Dr. Denis Mukwege është avokues i të drejtave të njeriut. Së bashku me aktivisten Yazidi Nadia Murad, Dr. Mukwege mori Çmimin Nobel për Paqen 2018 për “përpjekjet e tij për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte dhe konflikti të armatosur”. Ai ka marrë gjithashtu çmime të shumta për punën e tij, duke përfshirë Çmimin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (2008), Çmimin e Drejtësisë së Jetesës (2013) dhe Çmimin Sakharov të Parlamentit Evropian (2014). Revista TIME e renditi atë në mesin e 100 personave më me ndikim në botë dhe Fondacioni Carter e ka cilësuar atë një “qytetar të botës”