Lajme

Kurti, mërgimtarëve: Çdo përparim që e shihni në Kosovë në çdo element e ka edhe meritën tuaj

By GAZETA SCANNER 1

October 12, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët që jetojnë në Mynih të Gjermanisë.

Në këtë takim ku është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, rolin e mërgatës, kryeministri Kurti theksoi se janë krenarë për lidhjet e forta që ekzistojnë me diasporën.

Gjithashtu, Kurti tha se janë krenarë me rolin e Gjermanisë dhe përjetësisht falënderues, duke theksuar rolin e rëndësishëm që Gjermania e ka luajtur në çlirimin e Kosovës.

“Duke folur për mërgatën dhe rolin e saj, kryeministri tha se ajo është një faktor i cili jo vetëm ka ndihmuar Kosovën sidomos gjatë viteve të 90-ta, në luftë, para luftës e pas luftës, por pa të cilën çlirimi dhe zhvillimi i mëtejmë nuk do të ishte i mundur. Duke vërë në pah se çdo përparim në Kosovë në çdo element e ka edhe meritën e diasporës, kryeministri Kurti tha se nëse para tri dekadave ju kemi ftuar që të kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju ftojmë që të fitoni duke investuar”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, thuhet se Kurti i ka njoftuar bashkatdhetarët në Gjermani me të arriturat në këto tri vitet e fundit, duke potencuar se papunësia e përgjithshme në Kosovë në tri vitet e fundit ka rënë nga 25.8% në 10.7%, vendet e punës janë shtuar nga 350 mijë në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë në vjeshtën e vitit 2024.

“E arritur tjetër është ekonomia e vendit, për çka kryeministri tha se krahasuar me kohën kur erdhëm në qeverisje Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit për 35 për qind. Po ashtu, ai përmendi punën e qeverisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në sistemin shëndetësor, e shumë fusha të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë”, thuhet mes tjerash.

E në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti theksoi se është lehtësuar procesi i votimit të diasporës, duke i ftuar secilën e secilin të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për Kosovën.