Lajme

Kurti: Me vëmendjen e duhur shtetërore, drejt zbulimeve të reja arkeologjike

By GAZETA SCANNER 1

September 08, 2024

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se “Për herë të parë kemi nisur shpronësime në lokalitete arkeologjike. Ulpiana dhe Dresniku me prioritet, për të vazhduar me shpronësime në vende tjera”.

Kurti gjithashtu ka shkruar se në bashkëmpunim me ShBA-të, po vazhdon projekti i trajtimit të mëtejmë të lokalitetit arkeologjik në Dresnik të Klinës..

Kështu sipas tij, me vëmendjen e duhur shtetërore po shkojmë drejt zbulimeve të reja arkeologjike.

E plotë:

Me vëmendjen e duhur shtetërore, drejt zbulimeve të reja arkeologjike

Arkeologjia si asnjëherë tjetër po merr vëmendjen e duhur shtetërore. Po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të menaxhimit, bashkëpunime ndërkombëtare, studime e publikime.

Për herë të parë kemi nisur shpronësime në lokalitete arkeologjike. Ulpiana dhe Dresniku me prioritet, për të vazhduar me shpronësime në vende tjera.

Në një prej lokaliteteve tona më të rëndësishme, Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, po zgjerohet hulumtimi dhe po vazhdojnë gërmimet drejt zbulimeve të reja.

Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon projekti i trajtimit të mëtejmë të lokalitetit arkeologjik në Dresnik të Klinës. Aty është kryer dokumentimi i të gjitha strukturave me ndihmën e pajisjeve moderne, si skanerët 3D, për të përcaktuar gjendjen aktuale dhe shkallën e dëmtimeve, dhe po hartohet një plan i detajuar për konservimin e lokalitetit. Po zhvillohen plani i konservimit, ai i menaxhimit dhe plani i qasjes, që do të shërbejnë si bazë për mbrojtjen dhe menaxhimin e ardhshëm të këtij lokaliteti të rëndësishëm.

Ndërsa vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut në Drenas, është bërë zbulimi i parë tejet i rëndësishëm. Një altar romak i gjysmës së parë të shek.III, pas Krishtit. Objekti është një spolie e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 pas Kr.). Altari është i një rëndësie të veçantë dhe tregues se ka vazhdueshmëri jetese që nga parahistoria, antika deri në mesjetë.

Gjetje të rëndësishme kishte edhe në afërsi të lokalitetit arkeologjik Hisar, në Suharekë. Gërmimet në këtë hapësirë kanë sjellë të dhëna për kulturën e Eneolitit të vonë, gjithashtu periudhën iliro-dardane në disa zona të lokalitetit.

Së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Tubingenit në Gjermani. Ky projekt kërkimor i rëndësishëm, që do të realizohet nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me specialistë nga Gjermania, do të përqendrohet në identifikimin dhe gjurmimin e qendrave paleolitike, si dhe në krijimin e një harte të shpellave dhe lokaliteteve paleolitike dhe mezolitike në Republikën e Kosovës.

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka përgatitur materiale për publikime dhe botime për të prezantuar rezultatet e hulumtimeve dhe zbulimeve arkeologjike në vend. Disa nga botimet e fundit janë revista “Kosova Arkeologjike”, monografia “Varreza tumulare e Dollcit,” ndërsa në qershor është dërguar për botim në revistën “Iliria”, në Tiranë, artikulli “The Dardanian Settlement of Cernica – Vendbanimi Dardan në Cërnicë”.

Janë ndarë bursa për studentë të arkeologjisë të cilët vijojnë studimet në Universitete të ndryshme në Evropë e botë. Mbështetje financiare për studime në profile deficitare të arkeologjisë me qëllim të krijimit të kapaciteteve të reja profesionale.

Këtë vit po punohet në projekte të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë arkeologjike në Kosovë. Po trajtohen lokalitetet arkeologjike, Kalaja e Vuçakut në Drenas, Kalaja e Dardanës në Kamenicë, Kalaja e Kastercit, Suharekë, Kalaja e Marecit në Prishtinë, Kalaja e Harilaqit, Fushë Kosovë, Kalaja e Korishës, Prizren, Kalaja e Keçekollës në komunën e Prishtinës, lokaliteti arkeologjik në Hisar, Suharekë, lokaliteti në fshatin Bostan, Novobërdë dhe në Cernicë të Gjilanit.

Deri në fund të këtij viti do të vazhdohet me punë tek Ura e Gurit në Vushtrri, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Pogragjës në Gjilan, lokaliteti arkeologjik në Leshan të Suharekës, gjetjet e strukturave arkeologjike në Kaçanik dhe në fshatin Vrellë, në Istog.

Gjatë vitit të kaluar kemi përfunduar rehabilitimin e lokalitetit arkeologjik në qendër të Prizrenit, i cili kishte një dekadë që rrinte pa u trajtuar. Po ashtu në Prizren investuam në kurimin profesional dhe prezantimin modern të koleksionit të Muzeut Arkeologjik.

Përmes zbulimeve arkeologjike tregohet historia e pasur e lashtësisë së vendit tonë.

Qeveria për arkeologjinë.