Ballina

Kurti me premtim: Do të ndërtojmë fabrikën për municione, sot bëra hapin e parë

By GAZETA SCANNER 1

November 27, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë me dije se ka nënshkruar vendimin për themelimin e komisionit për nisjen e procedurave në lidhje me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti i cili kohëve të fundit është kritikuar për trajtimin e ushtarëve të FSK-së dhe problemet e tyre me ushqim, ka thënë:

“Qeveria jonë ka treguar që mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore, kjo është dëshmuar si me numrin e dyfishuar të ushtarëve, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar , si me trajnime jashtë vendit që janë katërfishuar, si me investime në armatim që janë shumëfishuar”.

Tutje, ai njoftoi se do të hapen edhe laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.

“Këtë ditë të rëndësishme po e shënojmë me vendim të rëndësishëm, që posa e nënshkrova para mbledhjes, dhe me një hap të domosdoshëm besojmë për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Do të themelojmë komisionin ndërministror për nisjen e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laboratorë për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë në Republikën e Kosovës.” – u shpreh ai.