Lajme

Kurti me deputetët austriak: Serbia kreu akt agresioni ndaj Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

June 18, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në Ndërtesën e Qeverisë, një delegacion shumëpartiak të deputetëve të Parlamentit të Austrisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Kosovën, të shoqëruar nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Bashkë me kryeministrin Kurti, i cili mirëpriti këtë takim që i shërben fuqizimit dhe sinkronizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, ishte edhe nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Austrinë në Kuvendin e Kosovës, deputetja Tinka Kurti.

Ai i falënderoi deputetët austriakë për vizitën dhe i njoftoi me qeverisjen dy vjeçare dhe mbi zhvillimet e fundit, me theks te progresi ekonomik dhe demokratik, dhe te situata në katër komunat në veri të vendit.

Kryeministri nënvizoi rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja të cilat gjatë qeverisjes sonë janë dyfishuar, dhe të hyrat tatimore të cilat janë shtuar për 2/3. Ai po ashtu iu referua raporteve ndërkombëtare si Transparency International, Projektit të Drejtësisë Botërore, Reporterëve pa Kufij e Freedom House, që vënë në pah rezultat e sundimit të ligjit dhe të avancimit të lirive dhe të drejtave.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, për situatën aktuale në veri ai tha se fajtore është Serbia.

Ai tha se Serbia të mërkurën kreu akt agresioni ndaj Kosovës, kur rrëmbeu tre pjestarë të PK-së brenda territorit të Kosovës.

Kurti kërkoi edhe nga deputetët austriak ta dënojnë këtë akt dhe të kërkojnë lirmin e menjëhershëm.

“Për sa i përket situatës në veri, kryeministri Kurti tha se ajo është e vështirë për shkak të Serbisë, e cila të mërkurën kreu akt agresioni mbi Kosovën, kur njësitë ushtarake e policore të Serbisë rrëmbyen tre policë të Kosovës në brendi të territorit të Republikës së Kosovës, me ç’rast ndau me ta dëshmitë që tregojnë qartë shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, të bëra publike në konferencën e përbashkët me ministrin Sveçla. Në lidhje me ngjarjen e ditës së mërkurë, ai shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të reagojë dhe ta dënojë ashpër sjelljen dhe veprimin e Serbisë, duke i ftuar edhe deputetët që ishin prezentë, dhe të kërkohet lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Deputetët që vinin nga radhët Partisë së Popullit (ÖVP), Partisë së Lirisë (FPÖ) dhe asaj Social Demokrate (SPÖ), u shprehëm mirënjohës për takimin dhe bisedën. Ndër të tjerash, u dha edhe vlerësim pozitiv për punën e Qeverisë, sidomos në luftimin e korrupsionit, gjë që po vlerësohet në Evropë nga të gjithë, siç u shpreh njëri prej tyre.

Kryeministri Kurti falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht së fundmi me votën PËR në fazën e fillestare të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.