Ballina

Kurti: Liria erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s

By GAZETA SCANNER 1

June 12, 2024

Në kuadër të aktiviteteve dhe ngjarjeve në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, u mbajt pritja shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe udhëheqës të institucioneve vendore e ndërkombëtare, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ambasadorë, e përfaqësues diplomatikë. Fjalën e tij të rastit, Kurti e filloi duke përkujtuar javët dhe muajt e pranverës së vitit 1999, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës.

“Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me krahë dhe zemra të hapura, me buzëqeshje dhe me brohoritje, si çlirimtarë njësoj sikurse luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kudo ushtarëve iu ofruan lule gjersa valëviteshin flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe shteteve tjera krahas flamurit kombëtar shqiptar”, tha kryeministri.

Më tej, shefi i ekzekutivit kosovar theksoi se liria erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO-s. “Prandaj, sot themelet e shtetit tonë janë të forta sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve, nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti veçoi edhe “katër figura të rëndësishme, me të cilët kemi emëruar sheshe dhe rrugë dhe u kemi ngritur shtatore në qytetet e Kosovës. Presidenti Bill Clinton, Kryeministri Tony Blair, Sekretarja Madeleine Albright dhe gjenerali Wesley Clark, për të cilët historia e Kosovës do të ruaj faqet më të ndritura për kontributin dhe rolin e tyre në lirinë tonë”.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri foli mbi historinë e suksesit të Kosovës, progresit e zhvillimit që ka njohur vendi: “Një çerek shekulli pas largimit të forcave të armatosura okupatore të Serbisë, Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të drejtave të njeriut dhe luftim të korrupsionit. Ekonomia e Kosovës apo Bruto Produkti Vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më i madh sesa në vitin 2000, gati tri herë më i madh se në vitin e shpalljes së pavarësisë, 2008, dhe 50% më i lartë sesa para katër vjetëve. Çlirimi i vendit, shpallja e pavarësisë dhe qeverisja e mirë ia kanë vlejtur fort për demokracinë qytetare e njashtu edhe për rritjen ekonomike”.