Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për CNN, ka diskutuar rolin jetik të NATO-s në çlirimin e Kosovës, si dhe rrezikun që Rusia dhe Serbia përbëjnë për stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës.
Kurti theksoi ndërhyrjen vendimtare të NATO-s në vitin 1999, e cila çoi në çlirimin e Kosovës nga regjimi serb.
“Kush është ende gjallë dhe ishte në Kosovë më 10, 11 dhe 12 qershor 1999, e kujton se këto ditë ishin më të lumturat e jetës së tyre. Çlirimi ishte i mundur falë sakrificës dhe qëndrueshmërisë së njerëzve dhe ndërhyrjes së NATO-s”, ka thënë Kurti, teksa vlerësoi ndikimin e NATO-s në në shtetndërtimin Kosovës.
“Në kurrë nuk do ta harrojmë atë (ndërhyrjen e NATO-s), çfarë duhet të bëjmë është ti rrimë besnik atij momenti, që ishte krucial për këto 25 vjet, që kanë qenë vite të demokracisë dhe progresit”.
Kurti gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës, duke përmendur mosnjohjen e saj si shtet të pavarur dhe përfshirjen në stërvitje ushtarake pranë kufirit. Ai theksoi se Serbia ka 48 baza operative në kufi dhe bëri thirrje për presion ndërkombëtar mbi Beogradin për të tërhequr këto baza.
“Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin fqinjët e tyre sepse duan zgjerim. Kremlini dhe Beogradi kanë imituar njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të shqetësuar”, ka thënë Kurti, duke nënvizuar se Serbia vepron si një përfaqësues i Rusisë në Ballkan.
“Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi. Ka 48 baza operative përreth kufirit duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila që ka 50-150 ushtarë”.
Në këtë intervistë, edhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, paralajmëroi për rrezikun e një konflikti në Ballkan për shkak të ndikimit të Rusisë përmes Serbisë.
“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan. Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë”, ka thënë Clark.
Ai theksoi se presidenti serb Vuçiq mund të veprojë sipas urdhrave të Putinit, duke përdorur forcat serbe në Kosovë dhe duke kërkuar ndarjen e Bosnjës për të krijuar një “Serbi të madhe”.
“Ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, dhe sigurisht duan ndarjen e Bosnjës dhe ta marrin Republikën Srpska dhe bërjen e ‘Serbisë së madhe’. Kemi parë shumë dhunë, vrasje në 30 vjetët e fundit dhe kemi menduar se NATO-ja e ka ndaluar, por nëse ka probleme në Ukrainë ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderë, si kryeministri Kurti, duhet të përballen me të”, ka thënë Clark.