Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit, raporton REL.
Kurti tha për gazetarët se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.
Kurti tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Duke folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova e ka fajësuar Serbinë, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.
“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’”, tha Kurti, duke përsëritur kërkesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.