Lajmest-slider

Kurti kërkon aktakuzë për Thaçin dhe Veselin

Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dëshminë e tij në prokurori për kallëzimin penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli në rastin “Syri i Popullit”.

Ai pas dëshmisë ka kërkuar që ky kallëzim penal të shndërrohet në aktakuzë dhe të dënohen Thaçi e Veseli.

“Unë dhe Glauk Konjufca e bëmë këtë kallëzim penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli për lajmërim apo kallëzim të rremë dhe deklaratë të rreme nën betim. E kemi bërë këtë meqënëse ata kanë deklaruar rrejshëm nën betim duke na akuzuar neve në lidhje me të ashtuquajturën ‘Syri i Popullit'”.

“Edhe 10 ditë bëhen një vit prej se ata kanë deklaruar që në njërën anë Vetëvendosja është krahu i armatosur i organizatës “Syri i Popullit” dhe në anën tjetër kanë thënë që jemi ne të dy ata që jemi marrë me shkrim të komunikatave të UÇK-së në vitit 1999. Po ashtu na kanë akuzuar që kemi inspiruar dhe udhëhequr atë organizatë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka kritikuar zgjatjen e këtij procesi, por ka thënë se është i kënaqur që në fund iu dha rasti të deklarojë.

“Është për t’u çuditur që prokurori atëbotë nuk ka reaguar fare, i cili kur e ka marrë detyrën duke thënë se do t’i zgjeroje akuzat edhe në drejtim të Glauk Konjufcës dhe Albin Kurtit, përveç Sadri Ramabajës dhe të tjerëve”.

“Më në fund e fituam këtë thirrjen nga prokuroria dhe më vjen mirë që u përgjigja në të gjitha pyetjet e prokurorit që e ka marrë këtë kallëzim penal, të cilin unë kërkoj që të shndërrohet në aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit dhe në këtë mënyrë të mundësohet një proces i drejtë për deklaratat e rrejshme”.

“Ky proces duhet të përfundojë me dënimin e këtyre dy të dyshuarve. Kam bërë edhe kërkesën për zhdëmtim, pra kërkesën pasurore juridike. Do të jem i gatshmë të vij për dëshmitë tona për deklaratat e rrejshme dhe shpifjet e paskrupullta që i kanë bërë për mua dhe Konjufcën”, është shprehur Kurti.