Sport

Kurti i drejtohet ekipit Olimpik të Kosovës: Çdo fitore e juaja është e të gjithë neve

By GAZETA SCANNER 1

July 15, 2024

Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rast.

Pjesëmarrjes për herë të tretë të Kosovës në këto lojëra, shefi i qeverisë e ka quajtur moment historik, i cili ka ardhur si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.

Ai tha se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.

“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, tha Kurti.

Gara e LO “Paris 2024” do të mbahen nga 26 korrik e deri më 11 gusht.

Kosovën do ta përfaqësojnë pesë sportistë nga xhudoja, të prira nga medalistet e arta të “Tokyo 2020”, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, një nga boksi (Donjeta Sadiku), një nga atletika dhe dy nga noti.