Lajme

Kurti flet për takimin në Bruksel: Jemi pala më konstruktive në dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur përsëri për takimin në Bruksel sa i përket targave.

Ai tha se edhe pas bisedimeve ka qëndruar për të bërë edhe një përpjekje të fundit, të cilën e kishte refuzuar presidenti serb.

“Unë isha i fundit që e lëshova ndërtesën e BE, sepse gjithmonë ka hapësirë për një përpjekje të fundit. Ka qenë edhe përpjekja e fundit. Lajçak ka ardhur te dhoma ku ndodhet delegacioni ynë, e bëri edhe një përpjekje për një tekst që do të përfshinte edhe tekstin e BE-së, por më pas na njoftoi që presidenti i Serbisë s’e kishte pranuar, por Borrell ndodhej në një konferencë për media”.

Ai tha se “qëllimi i madh”, që iu referua propozimit franko-gjerman, “u hoq nga takimi duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilit kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin, po për targat”.

Ai, ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka dëshirë t’i gjobitë qytetarët serbë.

“Policia e Kosovës nuk ka dëshirë t’i gjobis qytetarët serbë, por se po e respektojnë ligjin”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta. Sot në Bruksel ndodhet zv.kryeministri Besnik Bislimi e ndoshta do të ketë edhe takim që brenda 48 orëve të arrihet dakordimi”, ka thënë Kurti.

“Në dialog jemi pala më aktive e konstruktive dhe e njëjta nuk mund të thuhet për palën tjetër. Ndaj Bashkimit Evrpian shpesh e kam thënë kam qenë kritik dhe jam kritik, por po e ritheksoj asnjëherë i hidhëruar. Jam çdo herë i gatshëm t’i përgjigjem ftesës për takime që për temë kanë marrëveshjen finale ndërkombëtarësht dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim me Serbinë për njohje reciproke”, ka shtuar Kurti.