Lajme

Kurti dhe Ministri Vitia përuruan Klinikën e renovuar të Onkologjisë

By GAZETA SCANNER 1

May 20, 2024

Sot u përuruan renovimet në Klinikën e Onkologjisë të cilat arritën vlerën e investimeve rreth 600 mijë euro. Me këtë rast të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Investimet në këtë klinikë përfshijnë tri fusha: në aparaturë, zgjerim të listës së barnave esenciale dhe decentralizim të shërbimeve. Njëkohësisht, renovimi i tërësishëm i objektit ka krijuar hapësira më të përshtatshme për pacientët dhe stafin, duke shtuar veçanërisht dhe kapacitetin e shtretërve, nga 45 në 60, e së shpejti do të jenë 110 shtretër. Kryeministri Kurti përmendi dhe akseleratorin e ri të instaluar i cili pati kushtuar 1 milion e 444 mijë euro, dhe listën e pritjes e cila tashmë është zero.

“Përveç kësaj unë jam shumë i lumtur që mora vesh se procesi i dhënies së vaksinës HBV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës është duke shkuar shumë mirë dhe në të njëjtën kohë lista e barnave esenciale është zgjeruar me ç’rast nga ministri Arben Vitia, nga Dr. Iliri, nga drejtori Elviri, mësova se kjo është ndihma më e madhe që praktikisht është bërë për shkak se barnat janë të shtrenjta e buxheti është shtuar prej 8 milionë në 13 milionë. Le të mos harrojmë që krahasuar me para tre viteve, buxheti për listën e barnave esenciale është rritur nga 24 milionë euro në 60 milionë euro, pra dy herë e gjysmë më shumë apo 150% më shumë për vetëm tri vjet.” u shpreh kryeministri.

Ai shtoi edhe faktin që nga dy rezonanca magnetike që i kemi pasur përgjatë 20 viteve, tashmë në tri vitet e fundit janë shtuar edhe tri të reja. Ndërkaq, terapia tabletare që dikur është dhënë vetëm në Prishtinë, tash jepet edhe në Prizren, që nënkupton decentralizim të shërbimeve.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur që në një klinikë kaq vitale e kaq të rëndësishme në Republikën tonë, pacientët tash e tutje do të marrin shërbime shumë më cilësore, me shumë barna, pa listë të pritjes në radioterapi dhe në kushte jashtëzakonisht të mira.

“Falënderoj stafin e Klinikës së Onkologjisë, të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në renovimin rrënjësor të kësaj klinike dhe gjithashtu uroj që sa më pak të ketë sëmundje të tilla, por ata që do të kanë nevojë tash do t’i marrin të gjitha shërbimet në mënyrën më cilësore”, tha ministri Vitia.

Ai tha se rrallë kund edhe në rajon kanë të gjitha mundësitë edhe infrastrukturore edhe të aparaturave dhe të terapisë që tash po përdoret në Klinikën e Onkologjisë dhe kjo falë punës së të gjithë akterëve dhe angazhimit maksimal të stafit shëndetësorë.

Të pranishëm në këtë ceremoni përurimi përveç kryeministrit Kurti e ministrit Vitia, ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, si dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe Haxhi Avdyli.