Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se deklarata e Kryeministrit Kurti ku shprehet i çuditur për vendimin e arrestimt shtëpiak të të dyshuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq, është shqetësuese.
Gashi në një prononcim për Periskopin ka thënë se Kurti ka bërë një marrëveshje për vendimin ku çoi ish-zyrtarin policor, Dejan Pantiq, në arrest shtëpiak.
“Nëse ajo çka ka deklaru Kurti është e vërtetë, është një dështim total i tij si Kryeministër. Nëse ai nuk e ka ditë se çka po i ndodhë shtetit të vetë, me gjyqtarë e prokurorë të vetë dhe me policinë e vetë, ai është dështim total. Megjithatë, unë mendoj se është marrëveshje që z. Kurti e ka bërë”, tha për Periskopin, z. Gashi.
Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur dje se Dejan Pantiqit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Prokuroria tha se ky ndryshim u bë për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzojë të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, u tha në njoftim.
Prokuroria tha se pas vizitave të ekipeve mjekësore të misionit të EULEX-it, është konstatuar se Pantiq nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe është rekomanduar që ai dërgohej në një qendër spitalore, “megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua”.
Pantiq u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.