I shoqëruar nga ministra e zëvendësministra, deputetë të Kuvendit dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve të familjes Lleshi në fshatin Vraniq të Komunës së Gjakovës, në 26-vjetorin e rënies heroike të Kolë dhe Mark Leshit.
“Jemi këtu për të bërë homazhe, për të nderuar, për të kujtuar dhe përkujtuar veprën heroike të dëshmorëve të kësaj familje, e cila bëri krejt çfarë mundi e diti dhe dha krejt çfarë pati për çlirimin e vendit tonë dhe për pavarësi e për bashkim”, u shpreh kryeministri.
Ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë, falënderimin e pamasë për këtë vetëmohim, flijim e sakrificë, të familjes Lleshi, që katër dëshmorë i ka nga lufta e fundit, por edhe në luftat e mëhershme, gjithmonë ka pasur bijë e bija, të cilët me armë në dorë i kanë mbrojtur trojet e tyre stërgjyshore.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me ministrat Rozeta Hajdarin, Ejup Maqedoncin dhe me zëvendësministrat, Vigan Qorrollin, Mevludin Sinanin dhe aktivistë nga Lëvizja e kolegë nga Qeveria e Kuvendi, për të bërë homazhe, për të nderuar, për të kujtuar dhe përkujtuar veprën heroike të dëshmorëve të kësaj familje, e cila bëri krejt çfarë mundi e diti dhe dha krejt çfarë pati për çlirimin e vendit tonë dhe për pavarësi e për bashkim.
Sot, jemi këtu për një ditë të veçantë, sepse është 26-vjetori i rënies heroike të Kolës dhe të Markut, andaj edhe vendosëm lule të freskëta e bëmë nderime tek varri i tyre, para së cilës është kjo përmendore e respektuar, me katër shtylla, që simbolizojnë katër dëshmorët e familjes Lleshi e që mbajnë sipër kulmin, sepse kulmi është kulmi i shtëpisë së popullit, që do të thotë i shtetit të Kosovës, që na ruan e na mbron të gjithëve porsi një familje.
Edhe njëherë shpreh mirënjohjen time të thellë, falënderimin e pamasë për këtë vetëmohim, flijim e sakrificë, të familjes Lleshi, që katër dëshmorë i ka nga lufta e fundit, por edhe në luftat e mëhershme, gjithmonë ka pasur bijë e bija, të cilët me armë në dorë i kanë mbrojtur trojet e tyre stërgjyshore.