Ballina

Kurti bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

By GAZETA SCANNER 1

March 05, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve në Gazë.

Në një postim në platformën X, Kurti ka theksuar urgjencën e situatës dhe nevojën për vendimmarrje të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar.

“I bashkohem Kamala Harris-it dhe liderëve të tjerë botërorë në thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare. Vdekjet dhe vuajtjet e civilëve në muajt që pas sulmit terrorist të Hamasit janë një thirrje urgjente për veprim të shpejtë dhe vendimta”, ka shkruar kryeministri Kurti në platformën X.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, i bëri thirrje Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm gjashtëjavor, ndërkaq i kërkoi me ngulm Izraelit që të bëjë më shumë që të rriten dërgesat e ndihmës në Gazë.

Sipas nënpresidentes amerikane, njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës po përjetojnë një “katastrofë humanitare”.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së: Duhet të ketë armëpushim të menjëhershëm në Gaza Deklaratat e bëra më 3 mars janë ndër më të ashprat të bëra nga ndonjë udhëheqës i lartë i Qeverisë amerikane deri më tani sa i përket luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit, që nisi në tetorin e vitit të kaluar.

Harris i kërkoi Qeverisë izraelite që të paraqesë mënyra specifike se si mund të dërgohet më shumë ndihmë në enklavën palestineze ku qindra mijëra persona po përballen me uri.

Uashingtoni ka insistuar që një armëpushim të hyjë në fuqi në nisje të Ramazanit, që fillon pas një jave.

Një armëpushim i tillë do të zgjaste gjashtë javë, pas një armëpushimi më të shkurtër prej një jave të arritur në nëntor. Dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite.

Në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit – sulm që nxiti luftën – Hamasi vrau 1.200 persona dhe mori peng 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ajrore dhe tokësore, që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 30.000 persona në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.