Me dy muaj të mbetur deri në zgjedhjet parlamentare, Kryeministri Albin Kurti, njëherazi lider i Lëvizjes Vetëvendosje, bëri një deklaratë “misleading” rreth rritjes ekonomike përgjatë udhëheqjes së tij. Kreu i Qeverisë deklaroi se Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një pretendim që ai e jep si shifër të Bankës Botërore.
Në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha: “Ne nuk mund ta bëjmë Kosovën me ekonominë më të madhe në rajon, por ajo çfarë kemi bërë dhe, ka konstatuar edhe Banka Botërore, ne kemi shënuar rritjen më të madhe ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.”
Pretendimi i Kurtit se, gjatë udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova kryeson në rajon për nga rritja ekonomike, është i pasaktë nëse merret në mesatare. Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike e Kosovës nuk është më e larta në rajon.
Kosova, me një rritje dyshifrore prej 10.7 për qind në vitin 2021, shënoi një rritje enorme pas pasojave të pandemisë COVID-19. Por, kur krahasohet me mesataren e viteve 2021-2023, është Mal i Zi që udhëheq me një mesatare prej 8.57 për qind gjatë tre viteve të fundit.
Kosova renditet e dyta në rajon, pas Malit të Zi me një mesatare prej 6.1 për qind.
Burimi: Banka Botërore.
Pretendimi i Kurtit është hedhur poshtë edhe nga njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi, i cili tha ndër tjera se se “nuk kam dëshirë Kryeministri i Kosovës me deklaru gjëra që nuk janë të vërteta se duket keq edhe ai edhe vendi ynë”.
Veç kësaj, Muharremi kritikoi mburrjen e Kurtit për rritje gjatë një periudhe inflacioni të paprecedent të vendit në vitet e fundit.
“Këtu e kemi sipas Bankës Botërore sa ishin rritjet gjatë viteve të fundit dhe aty shifet kjartë që Mali Zi ka pasur rritjen më të lartë mesatare prej 8.60% (2021: 13%, 2022: 6.4% dhe 2021: 6.3%). Kjo e kalon rritjen mesatare të Kosovës prej 6.1% (2021-2023). Për ironi, ky NUK është një argument me u krenu për shkak se ka ndodhë në kohën e inflacionit të jashtëzakonshëm që ka shkatërru fuqinë blerëse të familjeve e qytetarëve dhe ku është dashur me politika ekonomike me ‘shkatërru’ kërkesën në treg, jo me stimulu me rritje.” – shpjegoi Muharremi.
Kurti u krenua ditë më parë edhe për rritjen ekonomike mbi 4 për qind në çdo vit që nga marrja e qeverisë, ndonëse gjatëperiudhës 2009-2019 – përpara pandemisë COVID-19 – rritja ekonomike e Kosovës ishte pothuajse vazhdimisht më e lartë.
Në 8 nga 11 vite, rritja ekonomike ishte mbi 4 për qind, ndërsa në 5 prej tyre tejkaloi edhe 5 për qind.