Ekonomi

Kurti bashkëbisedoi me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve të Diasporës Shqiptare

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave e Transfereve, z.Besnik Bislimi dhe zëvendësministren në detyrë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi sot kanë zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësues dhe ndërmarrës të platformave ekonomike në Europë, përkatësisht  z.Lazim Destani, Kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RrBDSh), z.Nazmi Viqa, Kryetar i Unionit të Bizneseve në Gjermani, z. Qamil Isufi, Kryetar i RrBDSh në Zvicër, z. Flamur Mavraj, Kryetar i RrBDSh në Norvegji, z. Vat Marashi, Kryetar i RrBDSh në Itali, z. Omer Nura, Kryetar i RrBDSh në Finlandë, z.Nestor Dede, Kryetar i RrBDSh në Greqi,  z. Ilir Seferi, Nënkryetar i Fondacioni “BESA”, Bavari, dhe ndërrmarrësi Ismet Mehmeti nga Franca, njofton ZKM, transmeton Scanner.

Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, fillimisht ka falënderuar të pranishmit për angazhimin e tyre në Kosovë dhe ka theksuar se Qeveria që ai drejton dëshiron që të promovojë një komunikim të dyanshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës me diasporën. Ai e falënderoi diasporën për angazhimin gjatë pandemisë COVID-19 dhe mbështetjen financiare e cila tashmë ka kaluar vlerën 720 mijë euro. 

Diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës dhe kjo rëndësi e saj është reflektuar në vëmendjen që ajo ka në Programin e Qeverisë. Në këtë drejtim, ne e mendojmë ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Tutje, ne e shohim diasporën si kapital human, përpos financiar. Për këtë arsye ne do të fokusohemi në krijimin e një programi nacional që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga diaspora në Kosovë. Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha, dhe me qëllim të ristrukturimit të përfaqësimit, kjo qeveri ka bashkuar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për këtë jemi bazuar në modele të suksesshme ndërkombëtare, sikurse ai i Irlandës.

Kryeministri në detyrë Kurti, theksoi se derisa jemi ende duke punuar me vëmendje të plotë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kemi filluar lehtësimin e masave në përputhje me situatën epidemiologjike. Urojmë që së shpejti do të hapim kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarët tanë. Në ndërkohë, Ministria e Financave dhe Transfereve është në përgatitje e sipër të pakos së dytë fiskale, atë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila ndër të tjera për qëllim do ta ketë riorientimin e ekonomisë dhe përfshirjen sa më aktive të diasporës në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik. 

Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti siguroi të pranishmit se Qeveria që ai drejton është duke punuar që të krijojë të gjitha kushtet për të investuar në atdhe. /Scanner/